Yll Rugova, Sbunker

2015

Dizajnera e tipografë, bashkohuni!

Régis Debray në një artikull të tij botuar në The New Left Review me titullin "Socialism and Print" (nuk është e përkthyer në shqip) flet se si ideologjia jo vetëm që është e dizajnuar, por madje e dizajnuar grafikisht. Sipas tij, tipografët, punonjësit e shtypshkronjave dhe bibliotekarët janë njerëzit kryesorë që e kanë nxitur socializmin si idologji në botë. Kjo ka ndodhur veçanërisht për faktin se këta profesionistë kanë pasur qasje më të drejtpërdrejtë në informatat e asaj kohe. E dizajnerët grafikë të ditëve tona mund t'i shohim si pasardhës të këtyre ideologëve.

Pra, secili dizajner me punën e tij në njëfarë mënyre është përçues i një ideologjie të caktuar. Së këndejmi, roli dhe përgjiegjësia e tij është e madhe. Prandaj edhe nuk është shumë i thjeshtë trajtimi i dizajnit grafik dhe profesionit të dizajnerit grafik si kontribut vetëm teknik. 

Konferenca e dizajnit grafik REDO që sivjet po e feston vitin e pestë, e trajton dizajnin pikërisht kështu, pra si kontribut jo-teknik. Ndoshta edhe kjo është arsyeja pse kjo konferencë është duke u kthyer në një konferencë kaq tërheqëse edhe për vizitorët ndërkombëtarë—që janë kryesisht profesorë dhe studentë të dizajnit grafik. Përderisa në mainstream të fushës së komunikimit grafik dhe advertisingut ka shumë konferenca që e trajtojnë anën teknike të komunikimit, një konferencë që mirret me ideologjinë dhe pjesët më të thella strukturore të fushës është diçka më e freskët dhe më interesante.

Pra, nëse dizajni grafik dhe komunikimi grafik është domosdoshmërisht është diçka ideologjike, atëhere edhe konferenca që i trajton këto fusha duhet të jetë e tillë. "...Shumica e ideologjive nuk kanë evoluuar në mënyrë organike, por qartazi janë konstruktuar, në kohë të caktuar, nga njerëz të caktuar. Me fjalë të tjera, këto ideologji janë dizajnuar," thonë ligjeruesit e edicionit të kaluar Experimental Jetset në një intervistë të tyren nga viti 2008.

 

Image
Revista MM (2011), dizajni Trembelat

 


Artikulli në origjinal është botuar në blogun Sbunker në vitin 2015.
Në ilustrim: Revista MM, dizajnuar nga autori i tekstit.